Më 12 gusht 2026, në ora 10:30, u mbajt shqyrtimi publik për Draft-Hartën Zonale të Komunës së Rahovecit 2026–2034, ku u prezantua dokumenti dhe u diskutuan komentet, sugjerimet dhe kërkesat e qytetarëve, bizneseve dhe palëve të tjera të interesuara.
Në këtë takim morën pjesë edhe Kryetari i Shoqatës Afariste, z. Mustafë Korenica, së bashku me përfaqësues të bizneseve të Komunës së Rahovecit.
Në emër të komunitetit të biznesit, z. Korenica paraqiti disa propozime dhe kërkesa konkrete, me fokus të veçantë në:
🔹 Rishikimin e koeficientit të ndërtimit;
🔹 Rishikimin e zonimit dhe parametrave urbanistikë përgjatë rrugës së UÇK-së;
🔹 Rishqyrtimin e klasifikimit të kësaj zone, e cila në Draft-Hartën Zonale 2026 është përcaktuar si ZSHP3, ndërsa në Hartën Zonale të vitit 2021 ishte e kategorizuar si ZSHP5 dhe ZSHP6;
🔹 Marrjen në konsideratë të propozimeve të Shoqatës edhe për zona të tjera me rëndësi për zhvillimin e bizneseve dhe të Komunës së Rahovecit.
Shoqata Afariste ka përgatitur dhe dorëzuar edhe vërejtje dhe sugjerime me shkrim, me qëllim që interesat dhe nevojat reale të bizneseve të trajtohen në mënyrë të drejtë gjatë procesit të hartimit të dokumentit përfundimtar.
Gjatë shqyrtimit publik u paraqitën gjithashtu vërejtje dhe rekomandime profesionale nga ekspertë të fushës së ndërtimtarisë dhe arkitekturës, duke kontribuar në një diskutim të rëndësishëm për zhvillimin e ardhshëm urban të Rahovecit.
Shoqata Afariste e Rahovecit pret që vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet e paraqitura të shqyrtohen me seriozitet dhe, aty ku janë të arsyeshme, të inkorporohen në Hartën Zonale të Komunës së Rahovecit 2026–2034.
Qëllimi ynë mbetet krijimi i kushteve sa më të favorshme për zhvillimin ekonomik, investimet, bizneset dhe zhvillimin e qëndrueshëm urban të Rahovecit.
